• ardianathaci@gmail.com
  • Kosovë
Kosova
Prishtina e qetë, e fshehur lart mbi kaosin e përditshëm

Prishtina e qetë, e fshehur lart mbi kaosin e përditshëm

Sirenat që bien pareshtur, trafiku që zvarritet, semaforët që gjithmonë të presin me dritë të kuqe, kolonat e gjata që shtrihen deri në pafundësi, ndërtesat e larta që duket se garojnë për hapësirë, mungesa kronike e parkingjeve, kaosi… kjo është përditshmëria e çdo prishtinasi në kryeqendrën e Kosovës, të cilët janë në një luftë të përditshme për të gjetur një copë qetësi mes zhurmës dhe rrëmujës.

Por kam gjetur një anë tjetër të këtij qyteti – një botë paralel që pret të zbulohet nga ata që kërkojnë më shumë se kaosin urban. Vetëm disa kilometra nga zhurma e qendrës, në Sofali, një grup djemsh të rinj kanë krijuar një oazë të tillë për ata që duan aventurat ekstreme, ku adrenalina takohet me natyrën dhe qetësinë. Aty ku tensioni i përditshëm shpërbëhet nëpër rrugë malore dhe kodrina, ata na ofrojnë përjetime që asnjë pushtet komunal s’ia ka dhënë ende qytetit. Për disa orë, aty mund t’i ikësh rutinës dhe stresit të përditshëm.

Unë do ta quaj këtë si akt i marrjes së guximit për të ngasur një katërçikletë, duke përjetuar ngjyrat e ndryshme të Prishtinës nga një perspektivë krejtësisht e re – nga lartësitë, ku mund të shohësh qytetin të shpaloset poshtë këmbëve të tua.

Është një aventurë që të përzien emocionin e lirisë me ndjesinë e një bote të paprekur më parë, një përjetim që të mbetet gjatë në mendje.

Edhe unë e mora këtë guxim, ani pse i afrohem të dyzetave – në këtë moshë, gjërat shpesh merren me më shumë dilema dhe kujdes. Megjithatë, thashë me vete: pse të mos përjetoj diçka të re? Pse të mos ndiej emocione që koha e përditshme shpesh i mbulon me pluhurin e përditshmërisë tonë?

Ishte sfidë për mua – jo vetëm për shkak të moshës, por edhe për shkak të akrofobisë sime. Rrugën e përballova me sy mbyllur, duke mos parë thuajse asgjë. Si për inat, shkarazi i tregova tutorit të Offroad Tour Prishtina, për frikën time, ai vetëm buzëqeshi duke me premtuar se do të ngiste ngadalë. Por në fakt e bëri të kundërtën. Dardani vendosi ta bëjë aventurën më të fuqishme, duke ngarë me shpejtësi të madhe nëpër rrugët e ngushta dhe të përpjeta.
Pas rreth 30 minutash ngasje ekstrem përmes shkurreve dhe rrugëve të vështira, arritëm në pikën më të lartë të Sofalisë. Pamja që më priti aty më la pa frymë. Frika ime u zëvendësua me një adrenalinë të fuqishme, që më mbushi me energji.
Nga ajo lartësi, Prishtina dukej si e zbutur, si një qytet i përmalluar për qetësinë e vet. Ishte hera e parë që pashë një Prishtinë tjetër, të qetë dhe pa ngutje. Ndërtimet e larta të shtrira njëra mbi tjetrën dukeshin si miniatura, dhe kaosi urban ishte zhdukur. Nga lart, mund të përjetoje një Prishtinë që shpesh na përmendet në tubimet elektorale, por që nuk u bë kurrë realitet. Në këso rastesh, e kuptova se sa shumë fshihet nga ajo që duket në nivelin e rrugës tonë të përditshme.

Sofalia ishte ndalesa ime e parë, e dhe guximi im shkoi deri këtu. Offroad Tour Prishtina ka edhe dy shtigje të tjera për ata që janë më të guximshëm. Njëri shteg të çon për një orë ngasje deri në Butovc, dhe tjetri deri te liqeni i Badovcit – aventura më të gjata dhe më të guximshme për ata që duan të sfidojnë veten.

Por për mua, pamja e përendimit të diellit nga ajo lartësi ishte magji e pastër. Ishte hera e parë që përjetova një perëndim kaq të veçantë mbi qytetin që e kam quajtur shtëpi për më shumë se 21 vite.

Me ikjen e diellit ranë temperaturat, dhe ishta koha e kthimit.
Rruga e kthimit u shndërrua në një magji të pastër – një përjetim që e kisha shmangur atë paradite, për shkak të frikës. Por tani, me zemrën e lehtësuar nga adrenalina e fituar, fillova të ndiej një lidhje të re me terrenin malor dhe për çdo metër të rrugës së kthimit, përjetova diçka të re. Kishte një ndjesi të qetësisë dhe kontrollit, ndërsa katërçikleta rrëshqiste nëpër shtigjet e ngushta dhe të mbushura me lisat që krijonin tunele natyrore mbi kokë.

Në një nga këto tunele, papritmas, përpara meje fluturoi një buf – një siluetë e fuqishme që u ngrit lart në qiellin e mbrëmjes. Për një çast, më ngjau si shqiponjë, një simbol i madhështisë dhe lirisë, por tutori im, Dardani, më kundërshtoj me një buzëqeshje. “Buf është,” më tha. “Thonë që sjell fat.”
Ai tha se e kishte parë bufin edhe dy herë të tjera më parë; “por fati ende s’më ka ardhur,” shtoi ai me një ndjesi humori të fshehtë në zë. Kjo e bëri situatën akoma më mistike – sikur bufi të ishte një shenjë që kërkonte diçka më shumë sesa vetëm praninë e tij për të sjellë fat.

Rruga e kthimit, edhe pse e ngushtë dhe e mbushur me sfida, tani u bë një përvojë e qetë dhe meditative. Çdo kthesë, çdo pengesë në rrugë, më dha një sens të thellë lirie. U ndjeva si pjesë e natyrës, e lidhur me çdo frymëmarrje të ajrit të freskët të malit dhe me çdo tingull që vjen nga pylli përreth.

Ky kthim më dha diçka më shumë sesa thjesht një përvojë adrenaline – ishte një përballje me veten, me frikën dhe guximin që ndonjëherë humbet në rrëmujën e përditshme. Nga kjo aventurë, mora me vete jo vetëm kujtime të paharrueshme, por edhe një ndjesi të qetësisë dhe energjisë së re.

Me pamjen e fundit të horizontit të zhytur në ngjyrat e purpurtë të perëndimit, ndjeva se Prishtina kishte shumë më tepër për të ofruar sesa kaosin dhe trafikun e saj. Ajo kishte një natyrë të fshehur që vetëm ata me guxim dhe dëshirë për t’u larguar nga rruga e zakonshme mund ta zbulonin. Kjo ndjesi e lirisë dhe përjetimi i një Prishtine tjetër, më qetësuan shpirtin dhe më bënë të ndiej se kisha zbuluar diçka shumë të veçantë përmes kësaj aventure.


Dhe nata na gjeti mua dhe Erjonën tek kafet e rakisë në mes të Prishtinës, duke festuar me një birrë për guximin.

1 thought on “Prishtina e qetë, e fshehur lart mbi kaosin e përditshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *