• ardianathaci@gmail.com
  • Kosovë
Blog
Të gjithë thyhemi

Të gjithë thyhemi

Për dikë, mund të dukemi si një gur i thjeshtë – diçka e fortë dhe e pandryshueshme. Për të tjerët, ndoshta dukemi si një fortesë e pathyeshme, një mur që asgjë nuk e lëkund. Por në të vërtetë, brenda vetes shpesh thyhemi. Disa prej nesh lejojnë që lotët të rrjedhin lirshëm, duke kaluar ditë të tëra në përballje me dhimbjen, ndërsa të tjerëve u qan shpirti, edhe pse asnjë lot nuk del në pah.


Mbrëmë, Malda na ftoj të flasim për shëndetin tonë mendor dhe për ato thyerje të padukshme që shpesh i mbajmë të fshehura. Thyerje që na bëjnë të tërhiqemi brenda një guace, duke u shndërruar në gurë të ftohtë, pa emocione. Ndoshta ky është mekanizmi ynë mbrojtës, mënyra se si përballemi me trishtimin dhe frikën.

Dhe sonte dua të flas për atë pjesë të vogël të Ardianës që mbaj brenda vetes – për atë vajzën e vogël që mbajti dhimbjen përbrenda, që nuk lejoi lotët të rridhnin për muaj të tërë. Jo sepse nuk ndiente dhimbje, por sepse nuk po arrinte të gjente formulen dhe forcën për të ndihmuar njeriun që e donte më shumë.

Loneliness Teenage Girls

Ardiana e madhe e mbylli çikën e vogël brenda saj, në një ditë të ftohtë dhjetori, i tha vetes se lotët nuk do t’i ndihmonin as asaj dhe as asaj që kishte më të shtrenjtë. Ajo e dinte se e vetmja gjë që mund t’i jepte jetë shpresës ishte të mbyllte dhimbjen brenda vetes. Dhe kështu, vendosi t’i fshehë lotët e saj, duke i kthyer në heshtje dhe forcë. Nga dita në javë, nga java në muaj, ajo nuk qau për asnjë nga 182 ditët që erdhën pas

Por në një ditë të ngrohtë maji, ajo u përball me një sfidë të zakonshme – të tillë që e kishte përballuar shumë herë më parë. Por atë ditë, për arsye të fshehura brenda vetes, guaska e saj u thye.

Close-Up Of Young Woman In Light Against Black Background, fairy tales.

Dhe kur më në fund lotët shpërthyen, ato rrjedhën pa pushim për tri orë në një stacion policor – jo për një situatë të papërballueshme, por për diçka që e dinte se mund ta përballonte.

Sepse ndonjëherë, edhe më të fortët thyhen. Por ajo mbeti ende njeri – dhe aty gjeti atë forcë të brishtë që na bën të tillë. Në atë moment, Ardiana më në fund pa qartë ankthin dhe gjithë dhimbjen në të cilën kishte jetuar. Të tjerët ndoshta nuk e dinin ferrin, pagjumësinë, dhe gjithçka që kishte kaluar, sepse kjo ishte historia e saj, krejtësisht e saj. Por është shumë më mirë të flasim, të qajmë – madje edhe në një stacion policie, përballë një psikologu, miku apo familjes. Dhimbja bëhet një tmerr i padurueshëm kur jetohet vetëm.

siloette double exposure of young woman expressing multiple emotions, happiness and sorrow

E rëndësishme është të pranojmë se nuk jemi vetëm. Secili prej nesh bart thyerje të vogla, të cilat përpiqemi t’i fshehim. Duke u mbështetur te njëri-tjetri dhe duke folur për to, mund të fillojmë të lehtësojmë barrën që na rëndon, duke kuptuar se forca jonë më e madhe qëndron në ndarjen e këtyre përvojave

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *