Para Washingtonit dhe Wichitas, në Fushë Kosovë – akrofobi dhe…
Po përgatis valixhet për udhëtimin tim të parë në Amerikë dhe po paketoj një dhuratë për Helenën, një grua që sot mbushi plot 84 vjet. Edhe pse nuk e kam takuar kurrë, përmes atyre pak emaileve që kemi shkëmbyer, ajo më duket si dikush që e njoh prej kohësh. Përgatitja e dhuratës nuk është e lehtë, sepse di shumë pak për të, por kam zgjedhur diçka që tregon për Kosovën—për traditën, të kaluarën e dhimbshme dhe të ardhmen tonë plot shpresë. Helena do të jetë mikpritësja ime për tetë ditë në Wichita të Kansasit, por para saj do të jem diku tjetër.
Ndërkohë që paketoj gjërat e fundit në valixhe, mendoj për udhëtimin e parë timin mbi Atlantik—një rrugëtim që duket po aq i largët sa edhe vetë ëndrrat e mia, dhe i pamundur për logjikën time. Athua pse? Pak kush e di, por unë jam një akrofobe e pashërueshme; asnjëherë nuk i kam dashur lartësitë, i urrej ato. Udhëtimet mbi re, që megjithëse janë magjepsëse, i kaloj kryesisht në gjumë. Por a do t’ia dal? Nuk e di… 14 orë në avion, uh… një shtrëngim në stomak kur mendoj një oqean pafund poshtë meje.
Sidoqoftë, ndalesa e parë do të jetë në Washington, në Kongresin Amerikan. Një vend për të cilin kam parë, shkruar, dhe lexuar shumë lajme, por kurrë nuk e kam menduar se do ta shkel personalisht. Akrofobia zhduket këtu. Kapitoli, me arkitekturën e tij të mbushur me histori dhe simbolikë, përfaqëson një nga qendrat më të rëndësishme të demokracisë në botë. Të jesh aty, në të njëjtin vend ku janë marrë vendime që kanë ndryshuar historinë, është, po ështe privilegj.
Pak para nisjes së këtij udhëtimi ëndrrash, emocionet janë të përziera. Djali im më i vogël, Rrapi, është vetëm pesë vjeç, dhe është hera e parë që do të jem larg tij për 12 ditë. “Mami, a më merr në Amerikë?”—janë fjalët që më ka thënë këto ditë, që kur i tregova për këtë udhëtim. Pavarësisht ëndrrës që po përmbushet, është e vështirë të largohesh nga ta. Shto këtu faktin që vuaj edhe nga një tjetër frikë—ajo e largësisë nga familja.
Megjithatë, jam e sigurt që kjo do të jetë një përvojë që nuk do ta harroj. Andaj më duhet ta shkruaj këtë udhëtim për Rrapin, Andin e Diarin që një ditë edhe ata ta kuptojë se bota është për t’u zbuluar, edhe nëse do të thotë të jetosh të njëjtën ditë dy herë.
Mirupafshim në Washingtoni!
😍😍😍😍