Uragani Helene
“I am Helene, I am 84 years old, and my name is Helene, just like Hurricane Helene, which started on my birthday.” Këto ishin fjalët e para që më tha Helene në aeroportin e Kansasit pasditen e së premtes, kur aterova nga Uashingtoni për të kaluar një javë të plotë me të.
Në shkrimin tim të parë, kam përmendur se nuk e njihja Helene-n, por përmes saj do të njoh jetën e qytetarëve amerikanë, Wichiten dhe Kansasin—një jetë që dallon shumë nga e jona si evropianë.
Ashtu si uragani, Helene ishte plot jetë, një 84-vjeçare që ngiste fordin e saj automatik dhe jetonte krejt e vetme në shtëpinë e saj në një nga lagjet e Wichitas.
Nata e parë nuk shkoi aq mirë; Helene kishte përgatitur një dhomë antike për mua, që ishte fantastike, por prania e shumë kukullave aty ma shtiu frikën. Megjithatë, ndonëse Helene dinte shumë pak për Kosovën, i premtova se do t’i tregoja gjithçka për të kaluarën tonë, dhe dhuratat që i solla e gëzuan.
Kthimi në Kohë: Gjurmët e Kaubojve dhe Historia e Gjallë e Cow Town në Wichita, Kansas
Në vitin 1872, Wichita City Eagle and Printing Office nisi punën e saj, duke shtypur gazetën ditore dhe çdo fletushkë tjetër të nevojshme për qytetarët e saj. Pas 152 vjetësh, kjo shtypshkronjë vazhdon të funksionojë, dhe, në vitin 2024, ende shtypen gazeta në mënyrë tradicionale, duke renditur shkronjat një nga një në makinerinë e vjetër.
Sot, kjo shtypshkronjë funksionale ndodhet në mes të qytetit të vjetër të Wichitas, të njohur si Cow Town. Gjatë vizitës time, provova të shtyp një fletushkë duke përdorur këtë makineri historike. Ia dola, por fatkeqësisht nuk e dokumentova dot punën time, duke dështuar kështu të sjell një dëshmi konkrete nga kjo përvojë e veçantë. Megjithatë, eksperienca më la një përshtypje të thellë për traditat që banorët e Wichitas i ruajnë me fanatizëm.
Qyteti i vjetër i Wichitas është një thesar i mirëmbajtur nga vullnetarë të apasionuar, shumica prej të cilëve janë pensionistë. Prandaj, do t’i referoja të gjithëve që janë të apasionuar pas historisë, që ta vizitojnë këtë qytet. Cow Town nuk është thjesht një muze, por një muze i gjallë që rikrijon jetën në qytetin e bagëtive në fund të shekullit të 19-të. Ky vend i veçantë ofron një dritare në historinë amerikane, duke nxjerrë në pah kohën kur Wichita ishte qendër e rëndësishme për tregtinë e bagëtive.
Gjurmët e këtij qyteti mbeten të paprekura, përveç shtëpive, kishës dhe shkollës, ku disa zeje ende vazhdojnë të funksionojnë, jo për të krijuar komercializëm, por për t’u treguar fëmijëve dhe vizitorëve, si puna ime, historinë e Wichitas së dikurshme.
Përveç kësaj, qyteti është njohur edhe si frymëzim për industrinë e filmit në Shtetet e Bashkuara. Shumë prodhime filmike janë frymëzuar nga historia amerikane dhe Wichita ka qenë skenë e disa filmave me tematikë perëndimore.
Kurrë nuk më ka shkuar mendja që brenda një dite do të provoja aq shumë salca të djegësta, por të shtunën e fundit të këtij shtatori, kam provuar shumë prej tyre. Unë dhe miqtë e mi nga Kosova kemi shijuar “Chicken n’ Pickle,” një festival ku, përveç ushqimit të bollshëm amerikan, kam kaluar një mbrëmje fantastike duke luajtur lojra tradicionale dhe duke shijuar jetën me miqtë e mi të rinj amerikanë.
Megjithëse një aventurë e gjatë dhe fantastike është para meje, ardhja ime këtu nuk ishte e lehtë. Mungesa e fëmijëve është një ndjenjë permanente, duke u ndier përtej Atlantikut. Komunikimi, për shkak të zonës kohore, nuk është i lehtë. Sot, për shembull, fola me fëmijët, dhe sapo Rrapi dëgjoi zërin tim, u fsheh. Edhe babi ishte pak me merak, megjithëse për 10 ditë tha se i dukej sikur isha humbur.
Dëgjohemi në shkrimin e radhës!
Me dashuri nga Wichita,
Ardiana