Sekretet e Minierës së Kripës dhe Jeta e Amishëve: Çfarë fshihet në nën tokën amerikane dhe jeta pa teknologji e amishve
“Çka do që hyn në minierë, mbetet aty.” Kjo ishte njëra ndër fjalitë që thanë ciceronët e Minierës së Kripës në Kansas, një nga më të mëdhatë në botë.
Si një fëmijë që është rritur duke parë serinë “Lois and Clark – Superman,” për mua ishte mahnitëse të shihja kostumin e veshur nga Dean Cain në rolin e Superman, një kostum i dizajnuar nga Judith Curtis. Përballë tij qëndronte kostumi i Batman-it, dhe shumë kostume të tjera të ruajtura nga Hollywood-i në këtë minierë, që tashmë është shndërruar në një depo për thesarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Aty ruhen edhe dokumente të shumta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe artefakte dhe fakte të ndryshme që përbëjnë historinë e jetës së amerikanëve. Midis tyre ruhen edhe sende të çmuara, si makina e Mike Rowe apo negative filmash të famshëm, që kërkojnë kushte ideale për t’u ruajtur në mënyrë të përhershëm.
Një nga përvojat më të çuditshme ishte në hapësirën e njohur si “Dark Inside,” një vend ku asnjë rreze drite nuk depërton. Në atë errësirë të plotë, për pak minuta, njerëzit fillojnë të ndihen të përgjumur ose madje të përjetojnë halucinacione. Kjo errësirë e plotë dhe heshtja absolute krijojnë një përvojë të veçantë, që e shkëput vizitorin nga bota e jashtme dhe ndikon drejtpërdrejt në ndjesitë e tyre.
A mund t’ju ketë shkuar ndonjëherë mendja se tavani ku po qëndroni çdo dhjetë vjet ngrihet për një centimetër? Kjo ndodh për shkak të formacioneve gjeologjike dhe presionit natyror në këtë minierë Strataca në Kansas.
Përvoja me trenin brenda tuneleve ishte thjesht fantastike. Imazhet e kostumeve, dokumenteve, dhe sendeve historike në ato hapësira të thella nën tokë më krijuan ndjesinë e një udhëtimi në kohë, si një depo sekrete ku ruhen pjesë të vyera të kulturës amerikane.
Rrugës për tek miniera, kur udhëton nga Wichita, në të dyja anët e rrugës shiheshin shtëpitë e Amishëve, një grup që jetojnë të shkëputur nga shumë elemente të modernitetit, duke ruajtur mënyrat e vjetra të jetesës, bujqësisë dhe artizanatit.
Sipas Daianës, ata nuk përdorin aspak teknologji moderne, nuk ngasin makina dhe ndërtojnë gjithçka me duart e tyre, duke u mbështetur te natyra dhe bashkësia. Përvoja e jetës së Amisheve është në kontrast të plotë me botën ku jetojmë ne, ku teknologjia ka kapluar çdo aspekt të jetës sonë.
Mes errësirës dhe mistereve të minierës, dhe thjeshtësisë dhe paqes së jetës së Amisheve, ndalesha të reflektoja për jetën moderne. Në botën e sotme, shpesh jemi të zhytur në një garë të vazhdueshme për teknologji dhe përparime shkencore, dhe ndonjëherë harrojmë të ndalemi dhe të vlerësojmë thjeshtësinë.
Megjithatë, një pyetje më ndjek: si është jeta e të rinjve të Amishëve në këtë shekull, ku për shumicën prej nesh, puna dhe gjithë jeta jonë është e përmbledhur brenda një smartphone-i?